Konkursi i Matematikës Kangaroo Shqipëri

Njoftim mbi shpalljen e Rezultateve përfundimtare

Njoftojmë se rezultatet paraprake të konkursit KANGUR 2019 janë dërguar pranë qendrave/shkollave të zhvillimit të konkursit. Nxënësit mund të kontaktojnë me përgjegjësit e këtyre qendrave/shkollave për të marrë ID dhe rezultatet paraprake. Pasi të konfirmohen rezultatet, ato do të shfaqen në faqen zyrtare, ku çdo nxënës mund të informohet për pikët e tij/saj në bazë të kodit (ID).

 

Informacion  rreth Kangourou 2019 – Kangaroo 2019

Të dashur miq!

Konkursi “Kangaroo” ka për bazë një testim i cili kryhet në të njëjtën datë në të paktën 90 vende të botës. Testi “Kangur” është ndërkombëtar dhe konkursi organizohet me të njëjtat rregulla në të gjitha vëndet pjesëmarrëse në të. 

Data e konkursit për vitin 2019 është e shtunë, 23 mars

Regjistrimet fillojnë më 15 dhjetor. Për tu regjistruar do të shikoni pikat e autorizuara që do të merren me konkursin, si dhe dokumentacionin përkatës të regjistrimit që do ta gjeni në këtë website.

Ju mirëpresim në konkursin “Kangur Shqipëri 2019”!

Qëllimi është t’u paraqesim nxënësve nga klasa e 1-rë deri në të 12-të një konkurs të bukur dhe tërheqës, që t’i frymëzojë ata për tu zhvilluar në drejtimin e matematikës. Për informacione të mëtejshme mund të na kontaktoni me anë të email info@kangaroo.al

 

 

ORGANIZIMI I KONKURSIT NDERKOMBETAR KANGUR NE SHQIPERI

 

  1. Historia e konkursit “Kangaroo”
  2. Organizimi dhe vendet pjesëmarrëse
  3. Statistika të KSF
  4. Organizimi në Shqipëri

 

1. HISTORIA E KONKURSIT “KANGAROO”

Në fillim të viteve 80, Peter O'Halloran, një mësues i matematikës në Sidney, krijoi një lloj të ri konkursi të matematikës në shkollat Australiane: një pyetësor me shumë zgjedhje, alternativa, që mund të korrigjoheshin dhe të vlerësoheshin nga kompjuteri, dhe mijëra nxënës mund të merrnin pjesë në të në të njëjtën kohë.
Ky konkurs i ri pati sukses të jashtëzakonshëm në sistemin arsimor dhe në garat e matematikës në Australi. Në vitin 1991, në Paris, Francë, dy mësues të matematikës (André Deledicq dhe Jean Pierre Boudine) vendosën që të fillojnë të njëjtin konkurs matematike për shkollat e mesme me emrin "Kangaroo" për nder të kolegut të tyre australian.

Suksesi ishte i menjëhershëm edhe në Francë si edhe në Australi. Në edicionin e parë, morën pjesë 120 000 nxënës në variantin junior. Pas dy vjetësh numri i nxënësve arriti në 300 000. Modeli i ri i konkursit të matematikës filloi të ndiqej edhe në vendet e tjera evropiane krahas konkurseve dhe olimpiadave te tjera tradicionale.
Deri më sot janë të paktën 90 shtete në botë që e zhvillojnë këtë konkurs. Konkursi i “Kangaroo” zhvillohet nga nxënës të shkollave 9- vjeçare si edhe të mesme mbi të njëjtat materiale matematike që hartohen nga komisionet e shoqatës “KSF- Kangaroo Sans Frontieres”. Konkursi i Matematikës “Kangur” është konkursi më i madh i nxënësve në botë (jo vetëm për matematikën). Në edicionin e fundit 2018 pjesëmarrja e përgjithshme ishte rreth 6 115 035 nxënës në të gjithë botën.

 

1.1 Qëllimi i konkursit Kangaroo

Kangaroo është një konkurs që ka për qëllim të njohë nxënësit dhe mësuesit me problemet dhe ushtrimet e matematikës të programit shkollor në një mënyrë të këndshme, tërheqëse, pa ankthin e suksesit të domosdoshëm dhe konkurimit.

Testet e Kangaroo janë më të lehta se testet e tjera tradicionale si Olimpiadat e Matematikës dhe është konkursi më popullor që zhvillohet sot në botë dhe që ka karakter masiv. Shkollat e ciklit parauniversitar dhe mësuesit e tyre e përdorin konkursin si një mënyrë të këndshme dhe informative për të njohur nivelin e nxënësve të tyre, për të dalluar se ku mund të kenë probleme dhe mangësi në dijet e tyre.

Rezultatet kanë qenë dhe do të jenë vazhdimisht edhe në dispozicion të drejtuesve të shkollave për të bërë analizat e nevojshme dhe për të nxjerrë rezultatet e duhura. 

Duke qenë një konkurs ndërkombëtar, me të njejtin test, ne do të krahasohemi me nivelin e vendeve të tjera. Gjithashtu do të vlerësohen disiplinat ku kanë më shumë sukses apo dobësi, si gjeometria, algjebra, teoria e numrave, etj. 

Konkursi do të gjallërojë interesin për matematikën si tek nxënësit, ashtu dhe tek mësuesit, do t’i nxisë ata që të punojnë më shumë në përgatitjen për konkurset dhe olimpiadat e matematikës.

Konkursi krijon një parapërgatitje për teste zyrtare që kanë rëndësi të madhe për nxënësit si SAT, ACT, etj, duke qenë se ka shumë ngjashmëri në zhvillimin e tyre (me alternativa) si dhe në materialet që trajtohen.

 

2. ORGANIZIMI DHE VENDET PJESEMARRES

BORDI I KANGOUROU SANS FRONTIERES - KSF

President: Gregor DOLINAR, Slloveni
Secretary: Luis CASERES
Vice-presidents: Meike AKVELD, (Zvicër), Maria Omelanczuk, (USA), Paulius Drungilas (Lituani)
Members: Elio MEGA (Brazil), Robert GERETSCHLÄGER (Austria), Alexander UNGER (Gjermani)
Honorary President: André DELEDICQ, KSF Paris (Francë)
Treasurer: Ria VAN HUFFEL (Belgjikë)

Vëndet pjesëmarrëse

 

3. STATISTIKA TE KSF

Statistika të pjesëmarrjes në vitin 2018 në Kangaroo të disa vendeve pjesëmarrëse:

  1. Austri –120 315 nxënës
  2. Bjellorusi –144 416 nxënës
  3. Brazil –326 436 nxënës
  4. Kataloni –134 898 nxënës
  5. Republika Ceke –401 268 nxënës
  6. Francë –322 100 nxënës
  7. Gjermani –910 700 nxënës
  8. Iran –55 771 nxënës
  9. Itali –74 837 nxënës
  10. Kazakistan –90 977 nxënës
  11. Maqedoni –15 646 nxënës
  12. Moldavi –44 640 nxënës
  13. Puerto Rico- 2998 nxënës
  14. Rusi –1 159 571 nxënës
  15. USA–29 353 nxënës
  16. Shqipëri –3350 nxënës, etj

 

Rezultate dhe statistika Kangaroo Shqipëri 2018

Nr Testi Kategoria Mosha Klasa Nr. i pyetjeve Pjesemarres Fitues 
1 PreEcolier 7-8 1-2 24 543 33
2 Ecolier 9-10 3-4 24 880 137
3 Benjamin 11-12 5-6 30 726 32
4 Cadet 13-14 7-8 30 442 22
5 Junior 15-16 9-10 30 418 5
6 Student 17-18 11-12 30 341 32
Gjithsej 3350 261

 

4. ORGANIZIMI I KANGAROO NE SHQIPERI

Për herë të parë, në vitin 2015, është miratuar nga institucioni ndërkombëtar International Association «Kangourou sans Frontières», KSF, kërkesa e Shoqatës Shqiptare të Matematikës (SHSHM – AMA), për të qenë Përfaqësuesi Eksklusiv i këtij Konkursi për Shqipërinë. Kështu, nga mars 2016 deri në mars 2018 janë zhvilluar me sukses tre edicione të këtij konkursi në të cilën kanë marrë pjesë nga 2000 deri 6700 nxënës nga klasa e 1-rë e deri në klasën e 12-të dhe disa qindra mësues nga pothuajse e gjithë Shqipëria.
Shoqata Shqiptare e Matematikës është tashmë anëtare me të drejta të plota e institucionit ndërkombëtar, International Association «Kangourou sans Frontières», që zhvillon dhe inicion këtë konkurs. 

 

 

Grupet e moshave që do të marrin pjesë në Kangaroo 2019 janë

Nr Testi Kategoria Mosha Klasa Nr. i pyetjeve Pyetje 3 pikë Pyetje 4 pikë Pyetje 5 pikë
1 Niveli 1 7-8 1-2 24 8 8 8
2 Niveli 2 9-10 3-4 24 8 8 8
3 Niveli 3 11-12 5-6 30 10 10 10
4 Niveli 4 13-14 7-8 30 10 10 10
5 Niveli 5 15-16 9-10 30 10 10 10
6 Niveli 6 17-18 11-12 30 10 10 10

 

 

4.1. Data dhe dita e organizimit të Kangur 2019

Kangur 2019 do të organizohet njëkohësisht në të gjithë vendet pjesëmarrëse të enjten e tretë të muajit mars, pra më 21 mars 2019 (përvit e enjtja e tretë e marsit). Disa nga vendet e organizojnë disa ditë më pas për arsye të ndryshme objektive (që përcaktohet nga institucioni lokal përgjegjës), por gjithmonë brenda të njëjtës javë.

Konkursi ndërkombëtar i matematikës “Kangourou 2019 – Kangaroo 2019” do të zhvillohet për herë të katërt në Shqipëri, ditën e Shtunë, datë 23 Mars, 2019. Konkursi në fjalë do të zhvillohet njëkohësisht në të paktën 90 vende të botës. Testi “Kangur” është ndërkombëtar dhe organizohet me të njëjtat rregulla në të gjitha vëndet pjesëmarrëse në të. 

Në Shqipëri, Kangur 2019 do të organizohet dhe monitorohet nga Shoqata Shqiptare e Matematikës (SHSHM), që është edhe përfaqësuesi zyrtar i konkursit si dhe anëtar me të drejta të plota i konkursit për Shqipërinë, në bashkëpunim me shkollat e mesme dhe 9-vjeçare (publike dhe jo publike).

  1. Kangaroo do të zhvillohet në datën 23 mars 2019.
  2. Ushtrimet e Kangur Shqipëri 2019 janë tashmë në dispozicion të Këshillit të Shoqatës, në gjuhën angleze. Ushtrimet do të jenë gati në gjuhën shqipe në fund të muajit shkurt.
  3. “Kangur Shqipëri 2019” do të organizohet në të gjitha shkollat përkatëse ku është siguruar bashkëpunimi për konkursin.
  4. Koha e konkursit është 120 minuta, çdo test përmban tre grupe me nga 8 ose10 pyetje me vlerë 3 pikë, 4 pikë, 5 pikë. Të gjitha pyetjet janë me përgjigje me zgjedhje.
  5. Konkursi mund të zhvillohet on line si projekt pilot në disa shkolla, ku do të realizohet kjo mundësi, dhe/ose me teste hardcopy në shkollat e tjera.
  6. Pagesat e nxënësve do të bëhen në numrin e llogarisë së konkursit, administruar nga SHSHM (AMA), ose tek një mësues ose përfaqësues i shkollës që do të ketë statusin e Përgjegjësit të Konkursit i cili në vijim i depoziton në numrin e llogarisë së Konkursit. Një marrëveshje paraprake do të bëhet me drejtuesit e shkollave ose/dhe me Përgjegjësit e Konkursit.

 

Numri i llogarisë së Konkursit është:

SOCIETE GENERALE ALBANIA

NUMRI I LLOGARISE (IBAN-i)

ALL - AL93 2131 1037 0000 0000 0173 8916

         8. Ushtrimet do të dërgohen ditën e Konkursit dhe do të jenë nën përgjegjësinë e Koordinatorit të Konkursit për rajonin përkatës si dhe të Përgjegjësit të Konkursit Kangur Shqipëri në qytetet apo shkollat ku do të zhvillohet Konkursi. 
             Testet përfundimtare dhe fletëpërgjigjet e personalizuara (për çdo nxënës) do të mblidhen dhe do të dorëzohen tek Koordinatorët rajonalë ose/dhe me postë në adresën e Konkursit ose/dhe Shoqatës, në Tiranë. 

         9. Përgjigjet e Konkursit do t’u dërgohen shkollave të shumtën 14 ditë pas ditës së Konkursit dhe/ose do të hidhen në faqen e internetit të Konkursit Kangaroo Albania
               www.kangaroo.al ose/dhe të SHSHM www.ama.org.al

         10. Në një datë të afërt do të organizohet ceremonia e vlerësimeve dhe e dhënies së çmimeve të Kangur Shqipëri 2019 si dhe është menduar të jepen diploma apo stimuj të tjerë. Informacioni i nevojshëm në lidhje me to do të jepet në vijim në adresën /at e                        mëposhtme.

         11. Do të bëhen përpjekje që të pasqyrohet ky aktivitet edhe në rrjete dhe media të ndryshme.

 

Informacione të mëtejshme do të jepen në vijim në adresat:

  1. www.kangaroo.al
  2. www.ama.org.al
  3. KANGUR SHQIPERI
  4. ALBANIAN MATHEMATICAL ASSOCIATION

DETAJET E KONTAKTIT

  • e-mail: info@kangaroo.al
  • Adresa: KANGUR ALBANIA
  • Fakulteti i Shkencave të Natyrës
  • Universiteti i Tiranës
  • Bulevardi Zogu i Parë
  • Në vëmendje të Profesor Artur Baxhaku